Skocia e Uellsi, kandidaturë për Euro2020

15/05/2012 00:00

Skocia dhe Uellsi po finalizojnë një kandidaturë surprizë për të organizuar turneun e futbollit Euro 2020, ndërsa në planet e britanikëve mund të përfshihet edhe Irlanda.

Limiti i pranimit të kandidaturave është këtë mesjavë dhe vetëm Turqia deri tani, ka konfirmuar përmes aplikimit se synon të organizojë aktivitetin kontinental.

Drejtuesit e federatës skoceze dhe asaj uellsiane të futbollit nuk e kanë konfirmuar kandidaturën, por burime pranë stafit përgatitor, thonë se presin nëj sinjal aprovues nga UEFA. Zgjerimi i europianit në 24 skuadra, ka bërë autoritetet e qeverisë së futbollit europian, të mendojnë edhe për 3 vende organizatore njëherësh dhe pikërisht për këtë, mund të hyjë në skenë dhe Irlanda.

Më parë presidenti i UEFA-s Mishel Platini ka konfirmuar se do të mbështesë kandidaturën e Turqisë për Europianin 2020, por vetëm nëse Stambolli do të dështojë në kandidaturën olimpike në të njëjtin vit.

Top Channel