
Shpërthimi i sulmuesit kolumbian Radamel Falcao këtë sezon, që kulmoi me
finalen në Europa League ka shtuar rradhën e admiruesve për
futbollistin e Atletico Madrid-it.
Oferta e fundit në adresë të bomberit latin, vjen nga skuadra e Chelsea-t, e cila ka vënë në dispozicion Fernando Torres dhe 15 milionë Euro, për shkëmbimin me klubin spanjoll.
Shënuesi më i mirë i dy edicioneve të fundit në Europa League, Radamel Falcao ka kushtuar 40 milionë Euro, por e ka justifikuar këtë me rrjetat dhe me lojën që ka dhënë për Atletico Madrid-in. Por problemi i skuadrës kryeqytetase është që nuk luan në Ligën e Kampioneve dhe për këtë, kolumbiani kërkon të largohet.
Ditët e kaluara drejtuesit e Atletico-s pranuan se pa një kualifikim në Ligën e Kampioneve do të ishte vështirë që të qëndronte Falcao. Për blerjen e tij, Chelsea synon të japë një tjetër sulmues si Torres që do të rikthehej te skuadra ku u rrit.
Por tratativat janë shtyrë pas finales së Ligës së Kampioneve. Nëse Chelsea humbet, atëherë edhe londinezët do të luajën në Europa League, dhe me shumë gjasa, edhe Falcao do të mbetet te Atletico.
Top Channel