
Real Madrid mundi 4-1 Mallorca-n në javën e fundit të kampionatit duke arritur kështu kuotën e 100 pikëve, një rekord i ri në futbollin spanjoll.
Cristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Mesut Ozil (2 gola) ishin shënuesit për ekipin e drejtuar nga Mourinho që të dielën në mbrëmje vulosi edhe një tjetër rekord: plot 121 gola të shënuar në një kampionat.
Vetëm Cristiano Ronaldo ka shënuar 46 gola, por nuk i mjaftuan për të fituar trofeun e golashënuesit më të mirë pasi ylli i Barcelonës, Leo Messi, shënoi 50.
Gjatë festës së titullit kampion, trajneri Jose Mourinho falenderoi të gjithë lojtarët e tij duke u ulur në gjunjë para tyre: “Real Madrid ka shumë tituj, por kjo skuadër do të hyjë në histori si ekipi i 100 pikëve!”
I ftuar special në festën e titullit në stadiumin “Santiago Bernabeu” ishte edhe tenori me famë botërore Placido Domingo, i cili këndoi himnin e kampionëve të rinj të Spanjës.
Top Channel