Njeriu më i shkurtër në botë, si yll hollivudi

14/05/2012 17:10

Pasi fitoi famë ndërkombëtare duke u konfirmuar se njeriu më i shkurtër në botë, Chandra Bahadur Dangi ka nisur një tur ëndrrash që do ta dërgojë atë në shumë vende të botës.

72-vjeçari nga Nepali, i cili është i gjatë vetëm 54,6 centimetra, mbërriti ditën e hënë në Australi, ku u prit si një yll Hollivudi, në një pritje të veçantë organizuar posaçërisht për të.

Dangi u shndërrua në mbajtës të rekordit “Guiness” në muajin shkurt dhe brenda pak javësh, ai ka gjetur sponsorë të ndryshëm për të realizuar ëndrrën e tij të hershme, atë të udhëtimit përreth botës.

Vizita e 72-vjeçarit në Australi përbën vetëm herën e dytë në jetën e tij që largohet nga shtëpia.

I veshur me një kostum popullor nepalez, ai u prit në aeroportin e Sidneit nga një grup prej qindra personash, që kërkuan të bëjnë fotografi me të dhe e duartrokitën.

I lindur me një problem gjenetik, Dangi e ka të vështirë të ecë, pasi këmbët e tij janë shumë të shkurtëra, prandaj preferon që të udhëtojë në shpinën e një familjari.

 

I lindur në një fshat të vogël 400 kilometra larg kryeqytetit Katmandu, njeriu më i shkurtër në botë është shndërruar edhe në një hero për komunitetin e tij, pasi kanë qenë të shumtë donatorët që kanë dhuruar fonde për fshatin ku ai jeton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA