Lindja e një fëmijë është gëzimi më i madh për një nënë, e për të patur një fëmijë sa më të shëndetshëm, çiftet u drejtohen specialistit, vizita që në shumicën e rasteve janë thjesht për kontroll, për verifikime nëse shtatzania ecën normalisht.
E pse ta bësh këtë kur fare mirë, cdo minuta të shtatzanisë, lëvizjet e bebes, rrahjet e para të zemrës e gjithcka tjetër, mund t’i kontrollosh falë një aplikacioni për iPhone?
Me rastin e Festës së Nënës, AppStore prezantoi iMamma, aplikacioni që ndihmon të gjitha nënat për të monitoruar të gjitha fazat e shtatzanisë, që nga kontrolli i peshës së fëmijës, tek kujdesi për të kryer analizat e plota e deri tek përllogaritësi i “goditjeve të bebes”.
“Objektivi ynë është që t’u ofrojmë të gjitha femrave shtatzënë dhe mjekëve një mbështetje të dobishme dhe të plotë”, thotë ideatori i iMamma, mjeku italian, Riccardo Fertitta.
Aplikacioni për momentin është hedhur në treg vetëm në gjuhën italiane, por shpejt do të jetë gati në gjashtë gjuhë dhe do të përmbajë edhe një listë numrash telefoni mjekësh, sipas zonave ku përdoret.
Top Channel