Në një nyje gordiane është shndërruar krijimi i një qeverie në Greqi pas zgjedhjeve të 6 Majit që nuk nxorrën një fitues të qartë prej forcave politike, që mund të siguronte mbështetjen e shumicës parlamentare.
Orëve të pafundme të mosmarrëveshjeve në negociatat mes partive greke në ditët që pasuan, u janë shtuar edhe 50 minutat e takimit të së hënës në mbrëmje të presidentit Papulias, me liderin e konservatorëve Samaras, kryesocialistin Venizellos dhe udhëheqësin e së Majtës Demokratike Kuvelis.
Të tre nuk kanë rënë dakord për një qeveri, por i kanë thënë “po” propozimit që ka ardhur nga socialistët dhe më pas është zgjeruar nga Papulias për një qeveri të unitetit kombëtar me mbështetjen e shumicës parlamentare.
Ndaj dhe presidenti grek ka rithirrur 6 udhëheqësit e partive parlamentare, përvec atij të partisë neonaziste, në një takim të ri në mesditën e së martës.
Propozimi i Papulias ka në thelb krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, e cila do përbehet ose nga teknokrate personalitete të shquara të vendit, ose nga politikane, me një afat dyvjecar dhe një qëllim të dyfishtë, të sigurojë ekzistencën e vendit në eurozonë dhe më pas mundësinë e shkëputjes nga marrëveshja e kredisë.
Megjithëse nuk kanë marrë pjesë në takimin e së hënës, Radikalët e Majtë i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për takimin e radhës, por dihet se kjo parti nuk do të bjerë dakord me një qeveri që do ketë në program reduktime të mëtejshme të të ardhurave dhe do të vazhdojë reformat e dhimbshme.
Si një fije shpresë për negociatat e reja të së martës, është marrë deklarata e liderit të nacionalisteve të partisë Grekët e Pavarur, forca e katërt politike në vend, i cili i ka deklaruar presdientit grek se do të marrë pjesë në një qeveri koalicioni në rast se vendit i rrezikohet sovraniteti kombëtar.
Konservatorët duket se bien dakord me këtë propozim të nacionalistëve, por kërkojnë edhe pjesmarrjen e radikalëve të majtë. Ose të gjithë, ose asnjë ka deklaruar edhe kryesocialisti Venizellos që është shprehur pesimist për negociatat e reja.
Nga ana e tyre komunistët grekë janë të vendosur që të mos bashkëqeverisin me asnjë forcë, kështu që shumica e skenarëve tregojnë se përsëri nuk do ketë konsensus dhe se është cështje orësh shpallja e zgjedhjeve të reja që sjellin më pranë makthin e falimentimit dhe kthimit në dhrahmi.
Zhvillimet politike në Greqi kanë sjellë rënie të bursës në Athinë dhe në kryeqytetet europiane si dhe rënie të ndjeshme të monedhës së përbashkët në tregjet financiare botërore.
Top Channel