“Më shumë se 8 tituj kampion, më shumë se një ngjitje në Serinë A, më shumë se një Kupë Italie (shpresojmë që të jenë 2)…
Fillon kështu letra e shkruar nga Alessandro Del Piero në faqen e tij zyrtare në internet e drejtuar për të gjithë tifozët e Juventusit në ditën e ndeshjes së fundit të tij në kampionat me fanellën bardhezi.
“Më shumë se gjithçka është ajo që më keni dhuruar në këto 19 vite. Më shumë se çdo gjë tjetër, sot unë dua të them vetëm: FALEMNDERIT.”
Ka qenë një ditë me shumë emocione për kapitenin e Juventusit. Lamtumira e tij mund të thuhet që eklipsojë edhe festën e titullit dhe për këtë arsye numri 10 i dedikoi një letër të gjithë mbështetësve që e kanë ndjekur përgjatë 19 viteve me “Zonjën e Vjetër”.
“Jam i lumtur që keni qeshur, gëzuar, qarë, kënduar dhe bërtitur për mua dhe me mua. Keni bërë realitet ëndrrën time. Ju them FALEMNDERIT! Do të jem gjithmonë pranë jush. Alessandro.”
Alex Del Piero ka luajtur 704 ndeshje me Juventusin duke shënuar 289 gola, i fundit pikërisht në ndeshjen e së dielës që Juventus fitoi 3-1 ndaj Atalantës.
8 tituj kampion në Serinë A, 1 Champions League, 1 Kupë Italie, 4 Superkupa Italie, 1 Superkupë Europe dhe 1 Kupë Interkontinentale janë titujt e fituar nga numri 10 me fanellën bardhezi.
Top Channel