Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Brukseli nuk ka një
vizion të qartë për Kosovën, duke vlerësuar se një gjë e tillë përbën
një dështim të Unionit kundrejt shtetit të ri.

Duke folur në emisionin “Debat” të televizionit “RTK”, Thaçi është shprehur se çdo vonesë e Bashkimit Evropian në proçesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit është kundërproduktive.

“Çdo vonesë e Brukselit është një dekurajim për qytetarët. Kosova i ka kryer detyrimet e veta sa i përket udhërrëfyesit, proçesit të studimit të fizibilitetit dhe vënies së marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe çdo vonesë e Brukselit, për mua, është një dështim i Brukselit në raport me Kosovën dhe rajonin. Brukseli duhet të jetë më i hapur, më fleksibël dhe më i guximshëm”, ka deklaruar Thaçi.

Shefi i qeverisë kosovare ka ftuar autoritetet evropiane që të shtrijnë sa më parë vlerat euro-atlantike në Ballkan, pasi sipas tij në rast të kundërt do të lindin ide për alternativa të tjera, që do të ishin të dëmshme për rajonin dhe Evropën.

“Mungesa e një vizioni të qartë të Brukselit për Kosovën dhe rajonin dhe mungesa e guximit për të ndërmarrë veprime për një zgjerim të shpejtë mund të krijojnë dilema dhe pakënaqësi tek njerëzit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka vlerësuar më tej se, mund të ketë momente kur njerëzit nuk do të duan të japin asgjë nga sovraniteti i tyre as në raport me Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, ai i ka kërkuar Brukselit që të rrisë presionin ndaj Serbisë, në mënyrë që të ndalë provokimet ndaj Kosovës dhe që të zbatojë marrëveshjet e arritura me të në dialogun e ndërmjetësuar nga vetë BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA