
Presidenti grek Karolos Papoulias po përgatitet të zhvillojë bisedime me
liderët e partive në përpjekje për të formuar një qeveri teknike.
Lëvizja e kreut të shtetit vjen pasi socialistët u bënë partia e tretë që dështoi në formimin e një koalicioni qeverisës.
Nëse përpjekja e presidentit dështon, atëherë vendi do të mbajë zgjedhje të reja, sipas të gjitha gjasave muajin e ardhshëm.
Të dielën e kaluar votuesit mbështetën partitë që kundërshtojnë marrëveshjen e ndihmave për Greqinë, që në këmbim kërkon shkurtime të thella të buxhetit.
Boshllëku politik në Greqi ka ngritur mundësinë që vendi të shpallë falimentimin dhe të detyrohet të dalë nga eurozona.
Presidenti pritet të përpiqet t’i bëjë presion partive për ngritjen e një qeverie të shpëtimit kombëtar, por korrespondenti i BBC në Athinë thotë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Bundesbank: Greqia, pasoja të tmerrshme nëse lë euron
Ndërkohë, Gjermania ka përsëritur se dalja e Greqisë nga eurozona do të ketë efekte të skajshme dhe i ka bërë thirrje Athinës që të vijojë me shkurtimin e shpenzimeve.
“Për Greqinë pasojat do të jenë shumë më të rënda se për pjesën tjetër të eurozonës”, ka deklaruar Jens Weidmann, drejtor i Bankës Qendrore Gjermane.
Shefi i Bundesbank tha për gazetën “Sueddeutsche Zeitung” se Greqia duhet të vijojë me reformat anti-krizë për të justifikuar ndihmat e mëtejshme nga komuniteti ndërkombëtar.
“Nëse Athina nuk i qëndron fjalës së dhënë, atëherë ky është një vendim demokratik. Por rezultati i këtij vendimi do të jetë se nuk do të ketë më baza për ndihma të mëtejshme financiare”, shtoi Weidmann.
Ndërsa agjencia e kreditimit “Fitch” paralajmëroi se, nëse Greqia braktis euron, ajo do të vendosë normat e interesit të 16 vendeve anëtare në rrezik zhvlerësimi.
Top Channel