Kupa , Dortmund shkatërron Bajernin

12/05/2012 21:55

Borusia e Dortmundit është shndërruar në “macen e zezë” të Bajernit të Mynihut. Verdhezinjtë pas shpalljes kampionë në Bundesligë, siguruan edhe trofeun tjetër, atë të Kupës së Gjermanisë pasi shkatërruan në finale bavarezët me rezultatin 5-2

Ishte Kagaua ai që hapi serinë e golave për Dortmund që në minutën e 3. Në minutën e 25 Roben barazin gjithcka nga pika e bardhe e penalltive. Barazpesha nuk zgjati më shumë se 15 minuta, pasi një ndërhyrje e gabuar e Boateng ndaj Levandovskit shkakton 11-metërsh për Dortmundin. Nga pika e bardhë, Humels nuk gabon dhe Dortmund kalon sërish në avantazh.

Për shkak të ndërprerjeve të shumta, gjyqtari i katërt jep 5 minuta shtesë vetëm në pjesën e parë. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë, një kundërsulm i Dortmundit nxjerr Levandovskin përballë portierit Nojer. Sulmuesi nuk gabon, godet saktë me të djathtë dhe pjesa e parë mbyllet 3-1 për skuadrën e Klop.

Pjesa e dytë nis me Bajernin në kërkim të golit, por me një lojë jo fort të qartë në organizimin e sulmeve, ndërsa Dortmund mbrohet mirë e kundërzbret shpejt. Në një skenar të tillë, në minutën e 58, Levandovski shënon golin e katërt për Dortmund.

Bajern nuk dorëzohet vazhdon të sulmojë, ndërsa Dortmund tenton disa herë me kundërsulm. Në minutën e 75, Frank Riberi, me një lëvizje të bukur personale, vihet në pozicion goditje me të majtën dhe nuk gabon, shënon golin e dytë për Bajernin.

Por pak minuta më vonë është sërish Levandovski ai që kalon topin pas shpinës së Nojer, këtë herë me një goditje me kokë duke shënuar golin e tretë personal në këtë finale dhe të pestin për Dortmundin.

Pas këtij goli, minutat e mbetur, përvec tensionit në fushë, nuk sollën ndonjë ndryshim rezultati.

Pas humbjes së Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë, Bajerni mbetet në luftë për trofeun e fundit, atë më të rëndësishmin, Ligën e Kampioneve. “Kupa me Veshë të Gjatë” do diskutohet mes Celsit të Londrës dhe skuadrës gjermane, në fushën e këtyre të fundit më 19 maj.

Top Channel