Në qytetet Shkup dhe Tetovë të Maqedonisë janë mbajtur protestat e komunitetit shqiptar kundër “proçeseve të montuara ndaj shqiptarëve”.

Në Shkup protestuesit janë mbledhur përpara selisë së qeverisë dhe disa prej tyre kanë lëshuar edhe gurë ndaj saj, duke thyer disa xhama.

Protestuesit kanë mbajtur në duar flamurin kuqezi, si dhe parulla të tipit “Shqipëri Etnike”, “Nikolla terrorist”, “Myslimanët nuk janë terroristë”, etj.

Më pas turma është shpërndarë e qetë dhe është tërhequr, duke i dhënë fund manifestimit, të mbajtur pas arrestimeve të disa shqiptarëve për masakrën e pesëfishtë në fshatin Smilkovsk.

Ndërsa në Tetovë, protestuesit shqiptarë kanë marshuar nga sheshi kryesor i qytetit në drejtim të Gjykatës Themelore dhe më pas para selisë së BDI-së, për të manifestuar pakënaqësinë e tyre ndaj arrestimeve.

Ndërkohë, në qytetet e tjera si Gostivar, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, protesta nuk ka pasur edhe pse ato ishin paralajmëruar në rrjetet sociale Facebook e Twitter.

Analisiti i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, duke komentuar pak ditë më parë njoftimin për protestën, deklaroi se shqiptarët e Maqedonisë janë të detyruar të kërkojnë drejtësinë në rrugë.

Ai u shpreh se shqiptarët po vetëorganizohen në protesta pasi kanë humbur besimin në isntitucionet e vendit, por edhe tek përfaqësuesit e tyre politikë.

“Rinia shqiptare po vetëorganizohet ngaqë ajo prej kohësh e ka humbur besimin në institucionet e shtetit dhe tek partitë shqiptare në Maqedoni. Rinia shqiptare e ka kuptuar se ky shtet herë të shpall shovinist shqiptar, herë fundamentalist islamik, varësisht nga nevoja. Unë besoj se rinia shqitpare e ka kuptuar edhe atë se asaj nuk i është rrezikuar besimi fetar, por shqiptaria. Ndaj edhe revoltën e vet duhet ta drejtojë në këtë kah”, tha Mehmeti.

Nga ana tjetër thirrje për protestë në Facebook kanë bërë edhe maqedonasit. Ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një demonstrate kundër shqiptarëve të shtunën, para godinës së qeverisë në Shkup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA