Dështon iniciativa e grupit parlamentar të PDK-së për ta kthyer në rivotim mocionin i cili e detyron qeverinë që të kushtëzojë bisedimet me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Shefi i këtij grupi parlamentar, Adem Grabovci kërkoi që të harmonizohen qëndrimet mes partive politike për shkak se, siç e arsyetoi ai, një ditë më parë janë nxjerrë dy dokumente për të njëjtën çështje.
Grabovci iu referua rekomandimeve të miratuara në ditën kur Edita Tahiri ishte në interpelancë dhe rekomandimeve të tjera që kishin ardhur nga debati për të zhdukurit në javën e shkuar.
“Ne duhet të harmanizojmë këto dokumenta dhe të nxjerrim një dokument të përbashkët që i detyron institucionet përkatëse që vërtet të ndikojnë pozitivisht në gjetjen e këtyre personave”, deklaroi Grabovci.
Por diçka e tillë hasi në kundërshtimin e plotë të partive të opozitës, të cilat deklaruan se deputetët e mazhorancës nuk kanë kuptuar se çfarë kanë votuar.
“Nuk ka nevojë që dy dokumentet e miratuara dje të harmonizohen, pasi ato nuk bien ndesh me njëra-tjetrën. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljeve të proçedurave nga institucioni më i lartë i vendit, prandaj ne nuk do të qëndrojmë në sallë dhe nuk do ta përkrahim këtë mocion”, deklaroi Ismet Beqiri nga LDK.
“Unë nuk dua të besoj që në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka deputetë kaq idiotë, të cilët kur lexojnë katër pika nuk marrin vesh se çfarë kanë lexuar”, tha më pas Visar Ymeri, kryetar i grupit të Vetëvendosjes.
Seanca e së premtes nuk i vazhdoi punimet. Ajo u ndërpre pasi opozita braktisi sallën dhe nuk pati kuorum për të vazhduar me tej.
Top Channel