Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë vlerësim “pozitiv” për rritjen e kapaciteteve operacionale nga Komanda e NATO-s me seli në Napoli, dhe në këtë mënyrë hapet rruga që FSK të bëhet “forcë mbrojtëse”.

Një lajm të tillë e ka dhënë në Prishtinë ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, gjatë një takimi që pati me ministrin e FSK-së, Agim Çeku dhe komandantin e kësaj force, gjenerallejtnënt, Kadri Kastrati.

“Kemi një vlerësim shumë pozitiv për rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së. Jemi shumë të lumtur që Komanda e Napolit ka bërë një raport të shkëlqyer vlerësimi për ngritjen e këtyre kapaciteteve dhe kjo hap rrugën që FSK të bëhet një forcë mbrojtëse konvencionale. Shpresojmë që menjëherë pas Samitit të Çikagos të futet menjëherë në axhendë. Republika e Shqipërisë do të këmbëngulë për këtë. Ndërkohë, kam marrë të gjitha hapat e duhura diplomatike për ta shtyrë përpara këtë çështje”, ka deklaruar Imami.

Por, përveç këtij lajmi të mirë, zoti Imami i ka bërë një ftesë publike Forcës së Sigurisë së Kosovës, që në paradën e 100-Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të marrë pjesë me një kuadrat, për çfarë mori miratimin politik.

“FSK të jetë e pranishme në paradën e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, me një kuadrat. Kam marrë një miratim politik, do të filloj sigurisht edhe hapat për të marrë edhe një miratim legal”, ka thënë më tej Imami.

Në anën tjetër, ministri i FSK-së, Agim Çeku ka thënë se me Ushtrinë Shqiptare ka një bashkëpunim vllazëror dhe se Shqipëria është ndër vendet që e ka mbështetur më së shumti FSK-në.

“Shqipëria është një ndër vendet që më së shumti e mbështet FSK-në, MFSK-në por edhe Kosovën, dhe jemi shumë mirënjohës për këtë. Identifikuam fushat e reja të bashkëpunimit që sa më suksesshëm t’i përballojmë sfidat para të cilave gjendet FSK-ja”, ka thënë Çeku.

Të dy ministrat u dakorduan që të thellojnë edhe më tutje bashëpunimin ndërmjet dy shteteve. Po ashtu, gjatë së premtes për herë të parë Orkestra Frymore e Ushtrisë Shqiptare ka parakaluar në sheshin “Nënë Tereza”, në qendër të Prishtinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA