Grekët vazhdojnë ende të mos kenë qeveri. Mundësia e fundit e socialistëve që kishin në dorë mandatin presidencial për të rënë dakord me Aleancën e së Majtës Radikale ka dështuar dhe liderët e dy partive në konferencë shtypi pas takimit, kanë fajësuar përsëri njëri-tjetrin për situatën pa rrugëdalje të krijuar.
Tashmë lëvizja e fundit i takon presidentit Papulias që mund të propozojë në orët e ardhshme një qeveri të gjithë partive parlamentare me shanse minimale për t’u pranuar ose zgjedhje të reja në muajin qershor.
Por edhe në këtë aspekt duke parë se shoqëria greke vazhdon të jetë kaq e përcarë dhe e pavendosur për të nesërmen, duke dashur të qëndrojë në eurozonë, por duke mos pranuar reformat, është më se e dukshme se mund të përsëriten rezultatet e paqarta të zgjedhjeve të 6 Majit dhe pamundësia e partive greke për një qeveri koalicioni që po e mbajnë Greqinë brenda një rrethi vicioz që rrezikon të ardhmen e saj europiane.
Në këtë atmosferë me zgjedhjet e reja në horizont, duke parë se e Majta Radikale ka rritur ndjeshëm fuqinë e saj sipas sondazheve të fundit, konservatorët përpiqen të ribashkohen në një front të djathtë, ndërsa kryesocialisti Venizellos ka shembur brenda një ore të gjitha strukturat e PASOK-ut duke deklaruar se do e rindërtojë Partinë Socialiste nga e para.
Përsa u përket nacionalistëve kundërshtojnë marrëveshjen e huasë dhe ngrejnë zërin për temat kombëtare, ndërsa neonazistët deklarojnë se mbështesin një qeveri që kundërshton ndihmën dhe reformat europiane, por që njëkohësisht dëbon emigrantët e huaj.
Ngjarjet politike kanë cuar në mënyrë të pashmangshme edhe në zhvillime negative të ekonomisë. Bursa greke ka humbur brenda javës më shumë se 11% , ndërsa raporti i Komisionit Europian parashikon recension 4.7% për sivjet dhe rritje të mëtejshme të papunësisë.
Top Channel