Ka dështuar edhe përpjekja e socialistëve për të krijuar qeveri koalicioni në Greqi. Në takimin e fundit që ka patur Venziellos me kreun e Aleancës të së Majtës Radikale, mbrëmjen e së premtes, nuk është rënë dakord për politiken që do të ndjekë kjo qeveri dhe janë hedhur akuza të ndërsjellta nga dy partitë për këtë çështje.

Kjo ishte tentativa e tretë për krijimin e qeverisë, pas dëshimit të Andonis Samaras të Demokracisë së Re, që brenda pak orësh pas mandatimit nga presidenti Papulias, dorëzoi mandatin tek kreu i të majtëve radikalë, parti e renditur e dyta në zgjedhjet e 6 majit. Por as radikalët nuk mundën të ndërtojnë koalicionin që u jep 150+1 deputetë në parlamentin 300 vendësh grek.

Pas këtyre zhvillimeve, të shtunën pritet që kreu i PASOK-ut, Venizellos të dorëzojë mandatin tek presidenti Papulias, i cili mund të propozojë formimin e një qeverie nga të gjitha forcat parlamentare. Nuk dihet nëse në këtë propozim të kreut të shtetit grek do të jenë edhe neo-nazistët.

Nëse edhe ky skenar nuk realizohet (në dukje i pamundur), grekët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit, pas 3 ose katër javëve.

Zgjedhjet e reja duket se janë ato që kërkohen nga e majta radikale që në sondazhet e fundit del partia e parë në vend, duke lënë pas konservatorët e Demokracisë së Re dhe socialistët e PASOK-ut. Te kjo e fundit janë paralajmëruar ndryshime rrënjësore. Vetë kreu i socialistëve, Evangjelos Venizellos deklaroi se do të rinovojë “strukturat e kalbura” të partisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA