Ditë eksodesh tek Milani, ikin Gattuso e Inzaghi

11/05/2012 17:55

Ditë eksodesh tek skuadra e Milanit. Pas mbrojtësit Nesta, që njoftoi largimin ditën e mërkurë, mesfushori Gattuso dhe sulmuesi Inzaghi janë dy emrat të tjerë që lënë kuqezinjtë.

“I dashur Milan, po të lë sepse kjo është jeta, sepse është momenti që unë të hap krahun. Largohem për t’u rikthyer një ditë (nënkupton trajner)”, thuhet në njoftimin e Gattuso-s, publikuar në faqen zyrtare të Milanit.

Gattuso vendos të largohet nga Milani, por jo nga futbolli. Ai premton se do të vazhdojë karrierën në futbollin e luajtur, dhe është vënë në kërkim të një skuadre. Alternativa e parë mund të jetë Rangers në Skoci, ku kanë ende nostalgji për të.

“Nuk e di se ku do të luaj. Për momentin s’kam asgjë konkrete. Për më tepër do të flas në konferencë për shtyp të shtunën”, deklaron Gattuso.

Në faqen zyrtare të Milanit ndodhet e publikuar edhe letra e Inzaghi-t, ikonës së sulmit kuqezi që prej 11 viteve.

“Kemi gëzuar, luajtur, fituar, hidhëruar, kemi ngritur kupa e kampionate së bashku, ndaj të gjitha gjërat që do të lexoni janë të parëndësishme përvec kësaj; kam luajtur, kam vuajtur, kam shënuar e kam fituar për Ju”, thuhet në letrën e SuperPipos drejtuar tifozëve kuqezinj.

Mesfushori Gattuso iu bashkua Milanit në vitin 1999 kur la Salernitanën, ndërsa Inzaghi mbërriti në vitin 2001 dhe ishte një sulmues i afirmuar tek skuadra e Juventusit, ku kishte shënuar 57 gola. Të dy lojtarët, në vitet e karrierës së tyre kuqezi, arritën të fitojnë dy tituj kampionë të Serisë A, 2 Liga Kampionesh dhe një botëror për klube.

Top Channel