Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash i kanë bërë Qeverisë së Kosovës një kërkesë, e cila pritet të përcaktojë të ardhmen e dialogut me Serbinë.
Me shumicë votash deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimin, përmes së cilit, kërkohet nga Qeveria e Kosovës të kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve të mëtejshme me Serbinë me zbardhjen e plotë të fatit të personave të zhdukur që nga lufta e fundit.
Kjo gjë erdhi në fund të interpelancës ku ishte e ftuar të raportojë zëvëndëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, se çfarë është bërë deri më tani për fatin e të pagjeturve në dialogun Kosovë–Serbi.
Tahiri ka thënë se delegacioni që ajo udhëheq ka paraqitur platformën e Qeverisë për zgjidhjen e këtij problemi, dhe se është kërkuar hapja e arkivave të ish ushtrisë jugosllave, ndërsa për këtë tha se është i nevojshëm presioni i BE-së.
“BE të marrë rol udhëheqës dhe garantues në lidhje të çështjes së personave të pagjetur. Duke fuqizuar procesin ekzistues përmes instrumenteve obligative që detyrojnë Serbinë për të bashkëpunuar dhe jo për të sabotuar zgjidhjen e këtij problemi”, deklaroi Edita Tahiri, Zëvëndëskryeministre e Kosovës.
Deputetët e pozitës thanë se shteti serb po mban peng informacionet për fatin e rreth 1 mijë e 800 personave të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa ata të opozitës kritikuan institucionet e Kosovës se nuk kanë punuar që të zgjidhin këtë problem.
Zëvënëdëskryeministrja, Edita Tahiri, raportoi se është kërkuar në Bruksel që çështja e të pagjeturve të mos politizohet, por të trajtohet si çështje humanitare, sipas konventave ndërkombëtare.
Po ashtu, në fjalimet e tyre gjatë interpelancës, deputetët kërkuan që Bashkimi Europian të detyrojë Serbinë të jap informacionet për të pagjeturit prej më shumë se një dekade.
Top Channel