Berlini paralajmëron Greqinë se Bashkimi Europian mund bëjë edhe pa të. Vetë kancelarja Merkel është frenuar nga komentet publike, por ministri i Financave, Wolfgang Schauble e bëri të qartë në një intervistë per “Rheinisce Post”, se Europa nuk fundoset aq kollaj.
“Kemi mësuar shumë dy vitet e fundit, kemi krijuar mekanizma mbrojtës dhe rreziqet e kontaminimit të vendeve të tjera të zonës së euros jane tkurrur”, tha kreu u financave gjermane.
“Ideja se nuk do të jemi në gjendje të reagojmë me shpejtësi ndaj çdo të papriture është e gabuar. Nuk është se nuk duam që Greqia të qëndrojë në Europë, por ajo duhet të respektojë detyrimet e veta”, shton Schauble.
Në të njëjtën gjatësi vale ishte dhe shefi i diplomacisë gjermane, Guido Westerwelle. Mëngjesin e sotëm, ai tha përpara Bundestagut se ndihmat e reja europiane do të lëvrohen vetëm pas zbatimit të zotimeve të bëra.
“Greqia duhet të punojë me reformat. Ne kemi ndërmend t’i përmbahemi premtimeve tona për ndihmë financiare, por ajo nuk vjen pa kushte”, tha ai. Westerwelle preku edhe temën e marrëveshjes fiskale.
“Pakti fiskal u vendos, marrëveshjet mes shteteve nuk bëhen të pavlefshme nga zgjedhjet e reja. E ardhmja e Greqisë në eurozonë tani është në duart e saj”, deklaroi ai.
Deklaratat e të dy zyrtarëve të lartë gjermanë janë vazhdë e pohimeve të kryetarit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, që tha të enjten se Greqia duhet të dalë nga zona e monedhës së përbashkët nëse nuk përmbush detyrimet ashtu si të gjithë anëtarët e tjerë.
Top Channel