Nesta: Lamtumirë Milan!

10/05/2012 15:20

Alessandro Nesta nuk do të veshë më fanellën e Milanit pas përfundimit të këtij sezoni, por ende nuk dihet e ardhmja e tij pasi mbrojtësi nuk ka nënshkruar kontratë me asnjë ekip tjetër.

“Ky është sezoni im i fundit tek Milan. Ritmi i lartë bën që të mos jem në gjendje të luaj të gjitha takimet dhe nuk e duroj dot stolin. Pas 10 vitesh në klub do të largohem. Kam njohur njerëz të mrekullueshëm dhe kam fituar shumë trofe. Kanë qenë 10 vite të shkëlqyera”, deklaroi qendërmbrojtësi 37-vjeçar në një konferencë shtypi.

Alessandro Nesta ka fituar me kuqezinjtë 2 tituj kampion në Serinë A, 2 Champions League, 1 Botëror Klubesh FIFA, 1 Kupë Italie, 2 Superkupa Europe dhe 2 Superkupa të Italisë.

Gjatë këtyre 10 viteve Nesta e ka të qartë se çfarë do të mbajë mend: “Trajneri Carlo Ancelotti ka qenë më i rëndësishmi në karrierën time, ndërsa fitorja e Champions-it të parë është kujtimi më i bukur me Milanin.”

Futbollisti italian nuk e ka të qartë të ardhmen e tij: “Nuk e di ku do të luaj sepse nuk kam nënshkruar kontratë.”

Mediat italiane gjithsesi flasin për mundësinë e PSG (ku trajner është Ancelotti) ose për një aventurë në SHBA.

Top Channel