Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kthehet në Kosovë pasi Gjykata e Hagës vendosi lirimin e përkohshëm të tij deri në fjalën përfundimtare të prokurorisë.

Lirimi i përkohshëm i Haradinajt është nën mandatin e plotë të EULEX-it, përkatësisht zv/shefit të këtij misioni, Andy Sparks i cili e vizitoi në momentin që Haradinaj mbërriti në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Kjo do të thotë se gjatë kësaj kohe Haradinaj ka të drejtë të takojë familjarët e tij, por jo të mbajë ligjerata publike, të flasë për mediat apo të zhvillojë aktivitete partiake.

Kështu nga burgu i Sheveningenit në Hagë ai kthehet në një izolim shtëpiak, por pranë familjes së tij. Xhirimet brenda shtëpisë nuk lejohen, por jashtë saj takojmë babain dhe bashkëshorten e Haradinajt.

“Është një gëzim i madh. E kam pritur dhe e kam besuar gjithmonë pafajësinë e tij. Ja ku erdhi dita që u tregua ajo pafajësi dhe u lirua”, thotë babai i Ramush Haradinajt, Hilmiu.

Një emocion të veçantë të cilën e shpreh bashkëshortja e tij Anita Haradinaj është momenti kur Ramushi e takoi djalin, Trimin i cili u lind pas vajtjes së tij në Hagë.

“Kisha harruar se si është të gëzohesh. Më vjen mirë që u kthye në shtëpi, kishte shumë gjëra të reja. Trimi është rritur, është bërë 16 muajsh. Fëmijët janë gëzuar shumë dhe më vjen mirë që është kthyer në shtëpi”, thotë bashkëshortja Anita Haradinaj.

Ndryshe nga familjarët, qytetarët e tjerë nuk mundën ta takojnë fare liderin e tyre. Kjo për shkak se EULEX-i vuri masa të forta siguri në mënyrë që eskorta  t’u shpëtonte  qytetarëve dhe mediave të cilat ishin prezente.

Ramush Haradinaj kthehet në Kosovë pas dy viteve qendrimi në burgun Hagës. Por edhe këtë herë ai do të jetë i izoluar sepse nuk do të ketë kontakte me publikun.

Fjala përfundimtare e palëve në gjyqin Haradinaj dhe dy bashkëlufëtarëve të tij Lahi Ibrahimaj dhe Idriz Falaj pritet të jepet më 22 qershor. Ndërkaq fillimi i vjeshtës së këtij viti do të shënojë fundin e këtij procesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA