Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith ka deklaruar se nuk pret
që në Ballkan të bëhet ndryshim kufijsh për asnjë shtet.

Kjo, sipas tij, nuk do të ishte zgjidhja ideale e problemeve të rajonit dhe nuk do të pranohej asnjëherë nga fuqitë perëndimore.

“Vështirë të besohet se qeveritë e rajonit, për të mos folur për SHBA, Britaninë, Gjermaninë, Francën apo Italinë, do të bien dakord se ndryshimi i kufijve është një zgjidhje më e mirë se ajo që kemi tani”, ka thënë Feith.

Problemi kryesor me të cilin po përballen vendet e Ballkanit, e në veçanti Kosova, është sipas Feith korrupsioni. Muajin e kaluar, ai paralajmëroi se ky fenomen po dëmton çdo ditë e më shumë ekonominë e brishtë të Kosovës.

“Ekonomia nuk do të zhvillohet sepse nuk do të ketë investime të huaja. Nëse një vend ka reputacion negativ, atëherë nuk mund të ketë investime”, tha Feith në një prononcim për “Irish Times”.

Diplomati holandez, i cili ndodhet prej shumë vitesh në Kosovë, u shpreh se problemi qëndron tek normat dhe vlerat tek të cilat kosovarët ndihen të ngjitur.

“Kjo vjen nga vite të tëra shtypje, diskriminim dhe dhunë që kosovarët kanë kaluar. Njerëzit nuk janë mësuar të pranojnë se ka ligje dhe rregulla që duhen respektuar, pasi ndryshe shoqëria nuk funksionon si duhet”, deklaroi Feith.

“Por kjo nuk është unike për Kosovën. Këtë fenomen e gjen kudo në Ballkan dhe më gjerë. Është një fenomen që do të kërkojë shumë kohë për t’u çrrënjosur plotësisht”, shtoi shefi i ICO-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA