Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar me rastin e Ditës së Evropës, se të gjitha vendet e Ballkanit duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë, zonja Jahjaga ka nënvizuar se disa prej vendeve të rajonit ndodhen në momente jetike përsa i përket proçesit të integrimit evropian.

“Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë shënuar një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe, me lançimin e Studimit të Fizibilitetit për MSA-në, si dhe fillimin e proçesit të dialogut për liberalizimin e vizave, që ofron mundësi të reja për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë”, ka thënë Jahjaga.

Kryetarja e shtetit ka nënvizuar se institucionet kosovare janë të angazhuara për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, me qëllim realizimin e ëndrrës së qytetarëve të Kosovës.

“Qytetarët tanë na kërkojnë, me të drejtë të plotë, që me vullnet dhe përkushtim të vijojmë përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe ligjore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, suksesi i integrimit varet nga të gjithë ne, institucionet, partitë politike dhe shoqëria civile”, ka thënë Jahjaga.

Më tej presidentja ka vlerësuar gatishmërinë e bllokut evropian për t’u zgjeruar me vendet e Ballkanit, duke u shprehur se vetëm atëherë do të jetë realizuar vizioni për një Evropë të bashkuar.

Me rastin e 9 Majit, kur 62 vjet më parë në të njëjten ditë Robert Shuman bëri propozimin që çoi në themelimin e Bashkimit Europian, komisioneri Shtefan Fyle u dha një mesazh inkurajimi vendeve aspiruese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA