Pasi është takuar me udhëheqësit e konservatorëve dhe socialistëve, lideri i së majtës radikale, Aleksis Tsipras ka deklaruar para grupit të tij parlamentar se ka dështuar vizioni i tij për një qeveri të koalicionit të së majtës që do të anullonte marrëveshjen e huasë dhe se dorëzon tek presidenti mandatin për krijimin e saj.

“Nuk kam gjetur mbështetjen për një skemë udhëheqëse me bazë ato cka premtuam para zgjedhësve tanë”, ka thënë ai, duke akuzuar konservatorët dhe socialistët për një gjuhë të dyfishtë, që nga njëra anë deklarojnë se do të rishikojnë marrëveshjen e huasë dhe nga ana tjetër nuk heqin dorë nga politikat e reformave shtrënguese.

“Në jetën e përditshme nuk ka mundësi të jesh pak shtatzënë, ashtu siç nuk ka mundësi të kesh pak marrëveshje huaje. Ose ka politika të gabuara, si ajo e kreditimit, të cilat po t’i vazhdojmë me doza të mëdha apo të vogla do të na çojnë drejt katastrofës, ose do të kërkojmë një zgjidhje tjetër, përtej këtyre politikave të gabuara katastrofike”, tha Aleksis Tsipras, Lideri i së Majtës Radikale.

Nga ana e tyre kryesocialisti Venizellos dhe lideri i konservatorëve Samaras kanë shprehur përsëri qëndrimet e tyre të kundërta me një politikë që shkon ndesh me parimet e BE dhe marrëveshjet e nënshkruara me të.

“Vendi nuk ka kohë për të humbur, ne nuk mund të bëjmë zgjedhje që do të thellojnë recesionin, do të rrisin papunësine, do të vënë në rrezik ekonominë reale”, deklaroi, Evangelos Venizelos, Kreu i PASOK-ut.

“Ai(Tsipras) më kërkoi mua që të pranoj daljen e Greqisë nga euro dhe falimentimin e vendit , dicka që unë nuk do ta bëj”, tha Antonis Samaras, kreu i “Demokracia e Re”.

Kështu duke pasur mbështetjen vetëm të një partie të vogël të majtë Tsipras u ka lënë topin në fushë socialsitëve, që marrin nesër mandatin për krijimin e qeverisë.

Nëse dhe Venizelos, nuk ja arrin qëllimit, Greqia do të shkojë me siguri në zgjedhje të reja pas tre ose katër javësh.

Por ajo që shqetëson tashmë të gjithë është fakti se grekët që shprehen pro eksistencës së tyre në hapësirën e eurozonës ,vlerësojnë se programi i reformave i nënshkruar nga qeveria e mëparshme e konservatorëve dhe socialistëve, më shumë ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të vendit duke rritur recensionin dhe papunësinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA