Në arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe të mekanizmave tjerë që morën pjesë në luftën e fundit në Kosovë, është adresa e të dhënave për fatin e rreth 1 mijë e 800 personave të pagjetur që prej 13 vjetësh.
Zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri, që drejton delegacionin e Kosovës në bisedimet teknike me Serbinë në Bruksel, thotë për Top Channel se janë të bindur për këtë dhe për këtë arsye ato duhet të hapen.
“Edhe përkundër refuzimeve të palës serbe kemi arritur që ta bindim BE-në që ta përfshijë në axhendën e dialogut. Kemi kërkuar që të hapen arkivat e gjenocidit, përkatësisht arkivat e ish-ushtrisë jugosllave, si dhe të gjithë mekanizmave tjerë që kanë marrë pjesë në operacione luftarake në Kosovë. Ne jemi të bindur se aty është adresa e të dhënave për të pagjeturit, për shqiptarët, të cilëve deri më sot nuk u dihet fati”, shprehet Tahiri.
Çështja e personave të pagjetur, fati i të cilëve nuk dihet për më shumë se një dekadë, është shtruar deri më tani vetëm në një raund bisedimesh në Bruksel dhe atë në majin e vitit të kaluar.
Se çfarë është bërë që nga ajo kohë e deri më tani, më 10 maj, kryenegociatorja e Kosovës do të paraqitet në Kuvendin e Kosovës, në një interpelancë, ku do të raportojë para deputetëve me kërkesë të tyre.
Tahiri kujton se para një viti pala serbe nuk kishte treguar gadishmëri për të bashkëpunuar, prandaj për këtë arsye është kërkuar që Bashkimi Europian të ketë rol udhëheqës dhe garantues në këtë proces: “Reagimi i z. StefanoviC nuk ka dalluar nga reagimi i politikës zyrtare të Serbisë, të cilët ende nuk kanë treguar gadishmëri të ballafaqohen me përgjegjësinë që e kanë si shtet që ka bërë 4 luftëra agresore në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe që është bërë një gjenocid i paparë në Kosovë. Kjo është arsyeja pse ne kemi kërkuar që BE të angazhohet drejtpërdrejt”.
Top Channel