Presidentja kosovare Atifete Jahjaga kthen në Kuvend për rishqyrtim Kodin Penal të Kosovës.  Bazuar në kompetencat e Presidentes vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal u mor pasi u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave si dhe me Nenin 22, pika 2 të Kushtetutës që detyron përmbushjen e Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Vendimi i Presidencës është mirëpritur nga Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. Këta të fundit organizuan protesta dhe bojkot ndaj institucioneve pas miratimit të Kodit bashkë me dy nene kontestuese nga mediat dhe gazetarët.  

“AGPK-ja vlerëson se me një vendim të tillë është shpëtuar liria e shtypit në Kosovë, e cila rrezikohej seriozisht nga përmbajtja e Kodit aktual. AGPK-ja falënderon gazetarët dhe mediat për unifikimin e jashtëzakonshëm në mbrojte të Lirisë së Shtypit, pa të cilin unifikim nuk do të mundësohej kjo mbrojtje. AGPK-ja falënderon partnerët vendës e ndërkombëtarë, organizatat, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë për mbështetjen e kërkesave të drejta të gazetarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp të Asosacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

Ndërkohë që i bëhet thirrje Parlamentit që të pranojë kërkesat e komunitetit të gazetarëve. Më tej, i bëhet thirrje edhe subjekteve politike në pushtet dhe opozitë që të mbështesin kërkesat e gazetarëve duke hequr kështu nënin 37 dhe 38 që sipas gazetarëve cënohet rëndë lira e shtypit dhe e shprehjes.

Pas miratimit të Kodit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte paralajmëruar për dorëheqje nëse nenet nuk hiqeshin, ndërsa më pas shenjat e para të tërheqjes i dha edhe kryeministri Hashim Thaçi në një mbledhje qeverie. Ai deklaroi se  neni 37 dhe 38 duhet të riformulohen. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA