Not, Phelps do të tërhiqet pas Olimpiadës

08/05/2012 21:50

Michael Phelps, fitues i tetë medaljeve të arta në Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008, ka lajmëruar se do të tërhiqet nga noti pas Olimpiadës së Londrës.

Notari amerikan e dha lajmin në programin televiziv ’60 Minutes’ të rrjetit CBS: “Do të tërhiqem përfundimisht dhe nuk ka më vend për rikthim.”

Trajneri i tij, Bob Bowman, deklaroi po në të njëjtin emision se Phelps “gëzon një gjendje të mirë fizike, ka punuar në palestër më shumë se çdo herë tjetër dhe pret rezultate të mira në Londër”.

Phelps zbuloi se ishte në prag të tërheqjes nga noti për shkak të depresionit pas skandalit që shpërtheu kur u publikuan foto të tij duke pirë marijuanë.

Gjithashtu theksoi se vendimi për tërheqjen përfundimtare erdhi si pasojë e lodhjes që të shkakton sporti i niveleve të larta.

“Kam bërë mijëra udhëtime në qytete të mrekulleshme dhe nuk kam mundur t’i shoh të gjitha. Pas kësaj Olimpiade do të bëj gjithçka që nuk kam mundur dot ta bëj më parë”, tha Phelps.

Top Channel