Familjet debitore, OSHEE rikthen skemën lehtësuese

08/05/2012 00:00

Qeveria rikthen edhe për dy muaj skemën lehtësuese për konsumatorët familjarë që kanë borxhe të akumuluara të energjisë elektrike. Skema parashikon nënshkrimin e marrëveshjes me Operatorin e Shpërndarjes për shlyerjen e debive me këste, jo më pak se 2500 lekë në muaj.

Përjashtim bëjnë familjet në ndihmë ekonomike, për të cilat aplikohet një këst mujor jo më pak se 1000 lekë. Ndërsa, për konsumatorët familjarë që duan të paguajnë menjëherë borxhin, aplikohet falje e kamatvonesës në masën 80%.

“200 mijë qytetarë të tjerë, të cilët kanë akumuluar borxhe që nuk kanë patur mundësi të hyjnë në skemën lehtësuese që u aplikua deri në 31 mars, e kanë këtë mundësi deri në 15 korrik”, tha Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë. 

Kreu i OSHEE-së thotë se vlera e borxhit për këto 200 mijë konsumatorë kap shifrën e 39 miliardë lekëve. Referuar 300 mijë akt-marrëveshjeve që janë nënshkruar deri më 31 mars, Çela thotë se janë më pak se 5000 konsumatorët që janë përjashtuar nga skema, pasi nuk kanë zbatuar afatet e pagesave. Paralel me skemën për familjarët, qeveria po aplikon dhe atë për bizneset, të cilët nga data 1 mars kanë nënshkruar me OSHEE-në 6000 marrëveshje, ndërsa numri i debitorëve është rreth 60 mijë biznese.

Shtimi i likuiditetit në sistem ka ndihmuar në shlyerjen e borxheve ndaj HEC-eve që nga 6.5 miliardë lekë, sipas Ministrisë së Energjisë, është reduktuar në 2 miliardë. Ndërkohë, pas rreth dy muajsh, sipas administratorit Çela, pritet të nisë dhe instalimi i matësave inteligjentë.

“Jemi në fazën e identifikimit të zonave, ka nisur prodhimi i matësave, kompania ka një apo dy muaj kohë për prodhimin e matësave. Brenda datës 1 korrik ka afat kompania që të nisë montimin”, deklaroi Çela.

 

Top Channel