
Barcelona ka filluar të mendojë për blerjet e reja për sezonin e
ardhshëm edhe pse ai aktual ende nuk është mbyllur përfundimisht. Synimi
i klubit katalanas është që të sjellë në Kamp Nou një qendër mbrojtës
dhe futbollisti më i kërkuar është pikërisht Tiago Silva.
Mbrojtësi brazilian prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e stafit teknik të Barcelonës, megjithatë Milani deri tani ka rezistuar mjaft mirë. Zëvendëspresidenti i kuqezinjve, Adriano Galiani gjatë gjithë kësaj kohe ka deklaruar se Tiago Silva nuk është në shitje, megjithatë kjo nuk i pengon aspak drejtuesit e Barcelonës të bëjnë manovrat e tyre.
Sipas medias spanjolle, klubi katalanas ka vendosur të përdorë kartonin e Keita për të arritur te Tiago silva. Mësohet se Barcelona është gati të lejojë mesfushorin malian të shkojë te klubi milanez i cili prej kohësh është vënë në ndjekje të 32 vjecarit.
Por jo vetëm kaq. Barcelona mund të përdorë edhe faktin që Milani i detyrohet ende për blerjen e Zlatan Ibrahimovic dhe kjo mund të ndihmojë jo pak spanjollët në arritjen e një marrëveshje me Milanin për Tiago Silvën.
Top Channel