Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në territorin e Kosovës është bërë sipas Kushtetutës dhe standarteve europiane.

Kështu vlerësojnë në Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka shumicën në Kuvend. Adem Grabovci, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, deklaroi gjatë së hënës se më 6 maj u respektua Kushtetuta e Kosovës dhe e drejta e caktuar me këtë dokument që qytetarët me dy nënshtetësi të mund të votojnë.

“Kemi lejuar një të drejtë që respektohet kudo, ata që kanë dyshtetësi janë lejuar të votojnë për presidentin dhe parlamentin, ndërsa të tjerat u janë pamundësuar. Këtu nuk ka shkelje të asnjë rezolute”, deklaroi Grabovci.

Sipas Grabovcit, po punohet që në një të ardhme Kosova të organizojë zgjedhjet për udhëheqje lokale në komunat veriore të Kosovës.

Por, në lëvizjen Vetëvendosje deklarojnë se Kushtetuta e Kosovës, një rezolutë e Kuvendit të Kosovës dhe sovraniteti i saj u shkelën me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin kosovar.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha gjatë së hënës se Rezoluta e Kuvendit të Kosovës e datës 15 mars, përmes së cilës obligohej qeveria që të mos lejonte mbajtjen e zgjedhjeve serbe, nuk u respektua nga ekzekutivi.

“Ajo detyronte qeverinë që në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, që të merrte masa për t’i ndaluar. Kjo nuk ka ndodhur, prandaj dhe Parlamenti duhet të kërkojë llogari nga qeveria, pasi ajo ka qenë e detyruar t’i ndalonte këto zgjedhje”, tha Konjufca.

Për më tepër, sipas Konjufcës, qeveria e Kosovës do të duhej të dorëhiqej, ndërsa angazhimi i OSBE-së në këto zgjedhje, sipas tij, nuk kishte bazë legale.

Deklaratat e dy zyrtarëve, atij të PDK-së dhe Vetëvendosjes, u bënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku u vendos që seanca e ardhshme e legjislativit të mbahet më 10 maj.

Me kërkesë të disa deputetëve në interpelancë pritet të paraqitet zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri, që udhëheq bisedimet Kosovë – Serbi, ku do të raportojë lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me këto bisedime në Bruksel.

Rexhepi: E paarsyeshme ndërhyrja e policisë në veri

Qeveria e Kosovës arsyeton vetveten për mos reagimin e policisë në dy komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok, në të cilat serbët votuan edhe për zgjedhjet lokale.

Ndonëse kryeministri Thaçi nuk e komentoi fare këtë proçes, ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi e vlerësoi si të panevojshëm ndërhyrjen e policisë në veri për shkak sepse, sipas tij, diçka e tillë do të rrezikonte dështimin e gjithë proçesit.

“Kemi vlerësuar se nuk ja vlente, pasi këto zgjedhje s’kanë asnjë vlerë e as legalitet, që të ndërhyhej”, deklaroi Rexhepi.

Vota e serbëve të Kosovës për parlamentin dhe presidentin e Serbisë duket se ndërlidhet me rrugën e Kosovës në Bashkimin Europian.

Kryeministri Hashim Thaçi u fokusua më shumë në këtë proçes, duke kërkuar nga Brukseli ta trajtojë Kosovën sikurse vendet e tjera të rajonit.

“Kam besim se Brukseli nuk do vonohet me Kosovën dhe rajonin. Kosova do të trajtohet si gjithë vendet e tjera të rajonit dhe ne do të jemi këmbëngulës në ndërtimin e Kosovës evropiane”, deklaroi Thaçi.

Duke komentuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Serbi, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se rrugëtimi i shtetit të Kosovës nuk ndërlidhet me fatin e pushteteve politike në Serbi.

Ndërsa i pyetur për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veriun e vendit, Kuçi pa specifikuar tha se kjo do të ndodhë në momentin që krijohen kushtet. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA