Bashkimi Evropian dhe Gjermania kanë theksuar se Greqia duhet të respektojë afatet e vendosura për ndihmat financiare nga BE dhe FMN.

Reagimi erdhi pasi një pjesë e votuesve votuan për partitë që kundërshtojnë masat anti-krizë. Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se reformat e Greqisë janë të një rëndësie maksimale.

Ndërkohë, duke folur për gazetarët ditën e hënë, zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert tregoi qëndrimin e Berlinit se, programet mbi të cilat është rënë dakord duhet të implementohen gjithashtu.

Ai shtoi se Gjermania do ta mbështesë Athinën për t’u rikthyer në një vend me konkurrencë dhe stabilitet financiar, cilado qeveri të jetë në pushtet.

I njëjti mesazh u nënvizua nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Pia Ahrenkilde Hansen, e cila tha se Brukseli pret që qeveria e re e Greqisë të respektojë marrëveshjet që ka nënshkruar me BE-në.

Ajo tha gjithashtu se Komisioni është i gatshëm ta ndihmojë Athinën për implementimin e axhendës së reformave.

Dy partitë kryesore, Demokracia e Re dhe Pasok, morën më pak se një të tretat e votave, në një situatë pasigurie politike në Greqi.

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras tani do të përballet me një luftë për të përgatitur partitë që të bashkohen për qeverinë e re.

Me pothuajse 99 për qind të votave të numëruara, partia e qendrës së djathtë udhëheq me 18.9 për qind të votave, më pak nga 33.5 për qind që kishte në vitin 2009.

Koalicioni i majtë radikal, Syriza, u rendit i dyti me 16.8 për qind dhe partia ultra-nacionaliste Agimi i Artë pas saj me 7 për qind.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA