Prej orës 7 të mëngjesit të së dielës grekët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që konsiderohen si më kritiket dhe më të paparashikueshmet qysh prej rivendosjes së Republikës në vitin 1975.

Vota e tyre sot pritet të jetë një votë proteste dhe ndëshkimi, një cunam zgjedhor ndaj dy partive të medha, PASOK dhe Demokracia e Re, të cilat kanë udhëhequr vendin në 37 vitet e fundit dhe fajësohen për krizën ekonomike që po kalon Greqia si dhe për marrëveshjen e huasë të nënshkruar me BE dhe FMN.

Edhe konservatorët që kryesojnë sipas sondazheve të publikuara dy javë më parë nuk mund të marrin shumicën e vendeve në parlament dhe pritet të ftojnë socialistët në një qeveri koalicioni si ajo e 6 muajve të fundit, në mënyrë që të vazhdohen reformat aq jetike për vendin. Në të kundërt Greqia hyn përsëri në rrugën e peripecive duke u vënë përsëri në pikëpyetje ekzistenca e saj në eurozonë.

Ekonomia dhe emigracioni ilegal konsiderohen si faktorët kryesorë që do të përcaktojnë votën, ndërsa rol të madh në rezultatin e këtyre zgjedhjeve do të luajnë partitë e majta dhe të djathta që janë shprehur kundër politikave europiane si dhe pjesëmarrja në votime. Pavarësisht çdo rezultati, mesazhi nga qytetarët për dy partitë e mëdha është se ato duhet të ndryshojnë politikën e tyre urgjentisht duke luftuar papunësinë, varfërinë, duke krijuar një shtet të ri social dhe duke sjellë zhvillimin ekonomik.

Nga ana tjetër duke parë një tendencë në rritje të partive të vogla që shprehen kundër reformave, BE i ka bërë të qartë Athinës se me këto zgjedhje vendoset nëse grekët duan apo jo të vazhdojnë të qëndrojnë në euro. “Sot Europa është me sytë nga Parisi dhe me zemër e mendje në Athinë”, është mesazhi që çojnë më shumë se 520 gazetarë të huaj që ndodhen në Greqi për të mbuluar këto zgjedhje kaq të rëndësishme.

Por, a do të jetë vota e grekëve ashtu siç thoshte Abraham Linkolni, më rezultative se vetë plumbi, pasi qëllon rrënjën e të keqes duke krijuar diçka më të mirë? A do të munden grekët të rikuperojnë gabimet e bëra deri tani? Këto janë pyetjet që presin përgjigje nga këto votime që konsiderohen si testi më i rëndësishëm për sistemin politik në vendin ku lindi demokracia.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA