Janë rreth 6.7 milionë votues që kanë rastin në 8587 vendëvotime të zgjedhin në mes të 12 kandidatëve për president dhe 3065 kandidatëve për 250 vendet në parlament nga 18 subjekte politike.

Serbia, sipas ligjeve të saj, ka 150 komuna-qytete dhe 24 bashki që kanë mbi 100 mijë banorë, përfshirë edhe ato të Kosovës. Por, në 17 qytete nuk mbahen zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Kosovë janë 261 mijë votues apo fletëvotime të firmosura dhe do të mund të votohet në 90 vendvotime. Votat e Kosovës do të numërohen në qytetet kufitare në Rashkë dhe Vranje.
 
Vendvotimet do të mbyllen në orën 20.00 dhe një orë e gjysmë më vonë priten rezultatet e para.

Presidenti i deritanishëm serb, Boris Tadic, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe të bijat, është dukur i qetë ditën e votimit. Ai ka thënë se puna e parë pas zgjedhjeve është të formohet qeveria sa më shpejt dhe vazhdimi i proceseve të nisura dhe pajtimit me tërë rajonin. Ka thënë se heshtjen zgjedhore e ka kaluar në koncertin e një këngëtari serb dhe ka qenë i bindur për fitore.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve serb, për rajonin pasi Serbia është një vend i rëndësishëm, por edhe për fëmijët e qytetarëve të Serbisë dhe për Evropën. Besoj se kemi bërë mjaft për ndryshimin e Serbisë dhe për demokratizimin e saj. Këto zgjedhje kanë përballur argumente dhe ne do të arrijmë fitore”, theksoi Tadic.

Ndërkaq Tomisllav Nikollic, i Partisë Progresiste, oponenti kryesor i Tadic, ka thënë se përfundimisht ka ardhur koha e fitores dhe ai do të jetë në krye të shtetit: “Rezultatet e para do t’i dimë rreth orës 21.30. Unë do të fitoj numrin më të madh të votave dhe nuk do të jetë kjo hera e parë, por kjo do të jetë fitorja përfundimtare. Serbia ka pritur shumë për ndryshim. Ndryshimet në Serbi janë të nevojshme dhe të gjithë e dinë këtë. Shpresoj të mund të flasim se si ta çojmë Serbinë përpara duke filluar që sonte ose pas 14 ditësh.”
 
Tri orët e para të zgjedhjeve kanë dalë 10.98% të votuesve ose 1% më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Rezultati i zgjedhjeve varet nga pjesëmarrja, ndërsa shumë politikanë dhe analistë presin befasi në këto zgjedhje.

Është interesante që mediat në Serbi nuk transmetojnë deklarata politike gjatë ditës së zgjedhjeve, qofshin ato edhe vetëm apele të përgjithshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA