Grekët dhe serbët i janë drejtuar kutive të votimit që prej mëngjesit të së dielës, në ato që shihen si zgjedhje vendimtare për të ardhmen e dy vendeve ballkanike.
Në Greqi, dy partitë kryesorë në vend, “Pasok” i qendrës së majtë dhe “Demokracia e Re” e qendrës së djathtë pritet të humbasin në përqindjet e tyre historike, si pasojë e koalicionit pro-masave të shkurtimit që kanë vendosur në parlament që prej nëntorit.
Rënia e popullaritetit të dy partive tradicionale në Greqi, të cilat duhet të jenë gjithsesi të parat në votime, do të krijojë një vakum pushteti, pasi të paktën sipas sondazheve paraprake, asnjë parti nuk do të fitojë ndonjë shumicë të qëndrueshme dhe kjo do të detyrojë fituesin për të formuar një qeveri të një koalicioni të gjerë për të udhëhequr.
Aftësia e çdo qeverie të re për të qëndruar në axhendën e kursimeve do të jetë thelbësore për të ardhmen e Greqisë, në mënyrë që vendi të vazhdojë të ketë akses ndaj huasë jetike të ofruar nga BE, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, të njohur gjerësisht si Troika.
Në fjalimin përmbyllës së fushatës, lideri i “Pasok”, Evangelos Venizelos, deklaroi se grekët kanë dy zgjedhje përpara tyre, të vazhdojmë me programin e shkurtimeve ose të përballen me varfëri ekstreme.
Gjendja e dëshpëruar e shumë grekëve pritet të ndihmojë partitë ekstremiste që të fitojnë një përkrahje rekord, me komunistët që pritet të shtojnë popullaritetin e tyre dhe ekstremin e djathtë të “Chrysi Avyi”, që pritet të futen për herë të parë në parlament, duke grumbulluar deri në 5% të votave.
Serbi, zgjedhje presidenciale, parlamentare dhe lokale
Dita e dielë është vendimtare edhe për fatet e Serbisë, ku vendi përballet me një zgjedhje të trefishtë, presidenciale, parlamentare dhe lokale.
Sipas sondazheve parazgjedhore, radikali Tomislav Nikolic dhe liberali Boris Tadiç përballen në një garë tepër të ngushtë për përzgjedhjen e kryetarit të shtetit.
Tadiç nuk priti deri në fundin e mandatit të tij më vonë gjatë vitit dhe dha dorëheqjen në muajin prill, në mënyrë që zgjedhjet të bashkoheshin në një ditë.
Të dy kandidatët shprehen se e mbështesin anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian dhe plotësimin e reformave të reja, pas fitimit të statusit të vendit kandidat.
Megjithatë, Nikoliç, një ish-aleat i Sllobodan Milosheviçit, e ka kundërshtuar anëtarësimin egërsisht vetëm disa vite më parë.
Nikoliç, i cili dikur tha se do të preferonte më shumë të shihte të bashkuar Serbinë me Rusisinë se sa me BE-në, ka zbutur retorikën e tij nacionaliste, duke zgjedhur të sulmojë partinë në fuqi të Tadiç për problemet e shumta ekonomike të vendit.
Aktualisht, Serbia vuan nga papunësia e lartë prej 24% dhe nga borxhi i lartë i jashtëm, që kap vlerën e 24 miliardë eurove.
Top Channel