Siç pritej në dy komunat veriore të Kosovës, Zveçan dhe Zubin Potok, u votua edhe për zgjedhjet në nivelin lokal, por në qendra votimi që nuk u mbikqyrën nga OSBE.

Mësohet se serbët me të drejtë vote fillimisht votuan për presidentin dhe parlamentin e Serbisë, ndërsa më pas shkonin të hidhnin votën për nivelin lokal në ndonjë objekt tjetër, qoftë edhe shtëpi private.

Votimi për zgjedhjet lokale në këto dy komuna është konfirmuar edhe nga shefi i misionit të OSBE-së, Werner Almhofer: “Ne jemi dëshmitarë se kanë ndodhur votime lokale në dy komuna në veri. Ne ua kemi bërë të qartë se mbajtja e zgjedhjeve lokale në afërsi të objekteve ku është mbishkrimi i OSBE-së është shkelje serioze e marrëveshjes, por nuk kemi hasur në kësi shkeljesh”.

Ndryshe nga veriu, në pjesë tjera të Kosovës ku ka votues serbë, zgjedhjet u zhvilluan vetëm për parlamentin dhe presidentin e Serbisë.

Në Graçanicë, pak kilometra larg Prishtinës, e diela ishte ditë e zakonshme. Në kohën që dikush shkonte për të votuar, të tjerët punonin në këtë ditë pushimi.

Pranë qendrave të votimit qëndroi Policia e Kosovës, ndërsa patrullat e tjera policore larguan posterat e fushatës, të cilët nuk lejohen të shfaqen në Kosovë.

Shkolla e mesme serbe në Graçanicë u hap për të pritur votuesit. Sipas këtij emërtimi Kosova ende konsiderohet krahinë autonome e Serbisë. Gjatë mesditës për të parë se si po ecën procesi i votimit, aty qëndroi shefi i OSBE-së.

“Marrëveshja për çështje teknike është njëra prej çështjeve themelore dhe njëra prej tyre është përdorimi i simboleve. Siç mund ta shihni prapa meje është mbishkrimi i OSBE-së. Sipas disa analizave që kemi bërë kemi vërejtur se ekzistojnë disa flamuj të Serbisë në disa ndërtesa në veri dhe ne po mundohemi të merremi me këtë çështje”, deklaron Almhofer.

Zgjedhjet u mbajten në 28 lokacione në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA