Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 Majit duket se sjellin një përmbysje dramatike të arenës politike greke të deritanishme dhe i japin një goditje fatale sistemit dypartiak duke i dhënë fund epokës prej 37 vitesh ku socialistët e PASOK-ut dhe konservatorët e Demokracisë së re udhëhiqnin duke ja lënë vendin njëri-tjetrit.
Forcimi i së majtës Radikale si një parti me synim pushtetin, si dhe hyrja në parlament e më shumë se 7 partive të spektrit të majtë dhe të djathtë ,krijon një pejsazh të ri politik, por dhe shumë pikëpyetje të cilat nuk kanë ende një përgjigje.
A do të ketë nesër destabilitet politik dhe mosqeverisje? Në rast se Demokracia e Re që kryeson nuk mund të formojë qeveri të pavarur, a do të mund të krijojë të paktën qeveri koalicioni dhe me cilat parti? Do të ketë ndoshta për herë të parë në histori një koalicion të partive të majta.
A do të zgjidhen problemet që përballon Greqia pas këtyre zgjedhjeve apo do të shtohen per me teper?
Grekët me voten e tyre ndëshkojnë dypartitë e mëdha, PASOK dhe Demokracia e Re, por janë vetëm këto dy forca që gëzojne mbështetjen e BE për të përfunduar marrëveshjen e huasë dhe reformat ekonomike dhe për të dalë nga kriza që po kalon vendi. Në të kundërt Greqia hyn përsëri në rrugën e peripecive duke u vënë në pikëpyetje ekzistenca e saj në eurozonë.
Rezultati i zgjedhjeve do i japë edhe një përgjigje pyetjes nëse shumica e grekëve që ishte shprehur pro monedhës europiane, kërkon vazhdimësinë e vendit në bashkësinë europiane, duke dhënë paralelisht mesazhin se politikat e ndjekura për daljen nga kriza nuk janë rezultative dhe duhen ndryshuar urgjentisht, duke luftuar papunësinë, varfërinë, duke krijuar një shtet të ri social dhe duke sjellë zhvillimin ekonomik.
Top Channel