Titulli mbetet për në javën e fundit, bie Dinamo

05/05/2012 21:40

Fati i titullit kampion do të vendoset në javën e fundit të Superligës. Skënderbeu dhe Teuta fituan respektivisht kundër Apollonisë së Fierit dhe Pogradecit, duke ruajtur distancën prej 1 pike mes tyre.

Në Korçë, vendasit mposhtën me rezultatin e pastër, 2-0 Apolloninë. Rezultati u zhbllokua nga Muzaka në minutën e 29, ndërsa Xhafaj në minutat e fundit të takimit, vulosi gjithcka. Goleadë në Durrës. Teuta, si asnjëherë tjetër në këtë kampionat, ka shënuar plot 5 gola ndaj kundërshtarit, por edhe ka pësuar 3 të tillë. Osmani zhbllokoi me një 11-metërsh që në minutën e 5-të, në të 18-ën Jakupi shënon golin e dytë, 9 minuta më vonë Nika trefishon, ndërsa në minutën e 41, Tairi vulos rezultatin e pjesës së parë, 4-0 për Teutën.

Pjesa e dytë nis me Pogradecin agresiv, që gjen golin 3 minuta nga nisja me anë të Eminhazerit. Por 10 minuta më vonë, durrsakët shënojnë sërish me Hoxhën, ndërsa në minutën e 68 dhe 70, Pogradeci shënon dy golat e tjerë, por kaq; Teuta fiton 5-3 dhe shkon 53 pikë, 1 më pak se Skënderbeu kryesues.

Tirana fitoi minimalisht 0-1 ndaj Lacit në transfertë falë golit të Balës. Por pavarësisht kësaj, fitorja e Skënderbeut, nxjerr bardheblutë jashtë luftës për titullin kampion, ndërkohë që për titullin nënkampion janë ende në garë.

Në Peqin, aty ku Shkumbini vendas priste Flamurtarin e Vlorës, ndeshja u shoqërua nga tensione si në fushë, ashtu edhe në shkallët e stadiumit. Në fund, ajo që vendosi ishte një penallti e minutës së 59, që u dha fitoren peqinasve duke fituar 1-0.

Në kryeqytet, Vllaznia mposhti 0-3 Dinamon, duke u dhënë “shkelmin e fundit” bluve drejt Kategorisë së Parë, ku me shumë gjasa vitin tjetër do ta shohim në derbin me Partizanin.

Në dy takimet e tjera Tomorri barazoi 2-2 me Bylisin e Ballshit, Kamza me Kastriotin 1-1.

Top Channel