Lahm kërkon titullin

05/05/2012 00:00

Finalja e 19 Majit në Ligën e Kampioneve, për kapitenin e Bajernit të
Mynihut Filip Lahm, përfaqëson një shans ideal që ai të marrë një trofe
vërtet të rëndësishëm në karrierë.

Pas dështimeve në të kaluarën, mbrojtësi i djathtë i skuadrës bavareze ka kërkuar nga skuadra e tij, përpjekjet maksimale për ndeshjen që do të luhet ndaj Celsit, në stadiumin më të dashur për të, “Fusball Arena” në Mynih.

Lahm ishte në fushë me skuadrën bavareze kur humbi në finalen e Ligës së Kampionëve 2010 nga Inter, kurse vetëm disa muaj më vonë si kapiten i Gjermanisë përfundoi në vendin e tretë në Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut. Për më tepër, Lahm ishte finalist i humbur në Euro 2008, ndërsa u desh të ngushëllohej me vendin e tretë në Kampionatin botëror 2006.

Tani futbollisti gjerman mendon se ka ardhur koha të arrijë një fitore të rëndësishme duke mposhtur Chelsea në finalen e Ligës së Kampionëve, duke lënë pas vetes zhgënjimet. “Kam një ndjenjë të mirë për këtë ndeshje. Në 2010 nuk besonim se mund të triumfonim por tani jemi më të motivuar dhe jemi përmirësuar. Besimi është i madh se mund të fitojmë këtë titull”, deklaroi Lahm

Top Channel