Rreth orës 13:00 të së premtes, mijëra shqiptarë u derdhën në rrugët e Shkupit për të protestuar kundër arrestimeve të shqiptarëve në operacionin “Monstrum” nga ana e policisë.

Protestuesit iu drejtuan godinës së Gjykatës së Lartë në Shkup, ku u mbajt edhe procesi gjyqësor ndaj 20 shqiptarëve, mes të cilëve dhe femra e të moshuara, nën akuzën e terrorizmit. Me pankarta në duar si “drejtësi dhe liri”, “ndal terrorit shtetëror”, “ndal diskriminimit të shqiptarëve dhe proceseve të montuara”, apo të tjera si “shqiptarët nuk janë radikalë islamikë”, protestuesit manifestuan pakënaqësitë e tyre për ngjarjet më të fundit në Maqedoni.

Stacioni tjetër i protestuesve ishte sheshi para godinës së qeverisë së Shkupit duke lëshuar thirrje kundër kryeministrit Gruevski dhe drejtuesve më të lartë të policisë maqedonase. Forca të shumta policore qendruan para dhe rreth e rrotull godinës së qeverisë, por edhe gjykatës së lartë. Megjithatë gjatë protestës nuk është regjistruar asnjë incident serioz.

Më pas, një pjesë e manifestuesve janë drejtuar për nga Komuna Çaire ku kanë vazhduar protestën e tyre. Protesta në këtë zonë, me popullsi shqiptare ishte e qetë dhe prezenca e policisë ka qenë minimale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA