Milito: Do të luajmë për tifozët interistë

04/05/2012 20:00

“Duam të fitojmë këto dy ndeshje që na kanë mbetur dhe të shohim se ku do të jemi në klasifikim. Vendi i tretë është i vështirë sepse tashmë nuk varet vetëm nga ne.”

Këto janë fjalët e Diego Militos, sulmuesit kryesor të Interit, i cili po përgatitet për derbin me Milanin që do të luhet të dielën në mbrëmje (20.45).

“Derbi është një ndeshje e veçantë për ne dhe tifozët. Do të mundohemi ta fitojmë për t’i dhënë një kënaqësi tifozëve tanë”, deklaroi argjentinasi për ‘Sky Sport’.

Por, interistët nuk do të jenë të kënaqur plotësisht sepse një fitore ndaj Milanit do t’i jepte titullin Juventusit: “Është e vërtetë, por ne mendojmë vetëm për vete dhe duam t’i japim një kënaqësi tifozëve pas një sezoni të vështirë.”

Në lidhje me të ardhmen e tij, Milito u shpreh i bindur se do të jetë sërish një lojtar zikaltër: “Jam në një ekip dhe në një klub të madh. Nuk e di se çfarë mendon Interi, por jam i sigurt që sezonin e ardhshëm do të jem sërish me këtë fanellë.”

Top Channel