Policia serbe ka arrestuar në një aksion dy ditë para zgjedhjeve të paktën 8 shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Sipas burimeve jozyrtare katër persona janë arrestuar në fshatin Terrnavc, dy në qytetin e Bujanocit dhe dy në fshatin Bernicë, të cilët ngarkohen për krime lufte.
Në këtë zonë në qytetin e Vranjes ka shkuar ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic, i cili ka paralajmëruar konferencë të jashtëzakonshme. Sipas këtyre informacioneve, një nga të arrestuarit është edhe Sherif Avdyili, përthyes i OSBE-së në Serbi.
Sipas mediave serbe, gjatë aksionit është sulmuar një pjesëtar i xhandarmërisë serbe, ndërsa nga burimet shqiptare thuhet se policia ka keqtrajtuar personat në zonat ku janë kryer bastisjet. Bastisjet i ka konfirmuar edhe kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ndërkaq ende nuk dihen rrethanat e sakta të kësaj ngjarjeje.
Prishtina: Arrestimet cënojnë paqen dhe stabilitetin
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin e ulët të arrestimit të qytetarëve shqiptarë në Komunën e Bujanocit.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se këto veprime të vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë janë edhe një provokim i rëndë kundër paqes dhe stabilitetit në rajon.
Qytetarët shqiptarë në rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbesin të atakuar nga presionet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përmes proceseve të montuara politike, që kanë për qëllim dëbimin e qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre dhe krijimin e pasigurisë së përgjithshme në ato territore të banuara me shqiptarë.
Qeveria e Kosovës thekson se këto veprime tensionuese në prag të zgjedhjeve në Serbi janë edhe një dëshmi e qartë se Qeveria e Serbisë po vazhdon me qasjen e saj anti-europiane, që është në dëm të krijimit të një rajoni të sigurtë, të qetë dhe mbi të gjitha në dëm të bashkëpunimit rajonal.
Top Channel