Një trup gjykues në gjykatën e Pejës, i përbërë nga dy të huaj dhe një vendas, ka dënuar me 87 vjet burg shtatë shtetas kosovarë nën akuzën e kryerjes së krimit të organizuar.
Lajmin e ka komunikuar vetë misioni evropian për rendin dhe ligjin, i cili përmes një njoftimi për shtyp ka saktësuar se të pandehurit janë dënuar për pengmarrjen e biznesmenit Azem Morina nga fshati i Gllarevës.
Ngjarja ka nodhdur më 21 shtator të vitit 2010 dhe që prej asaj dite biznesmeni Morina u mbajt peng për 44 ditë, ndërsa pengmarrësit kërkonin 3 milionë euro në këmbim të lirimit të tij.
Në komunikatë njoftohet më tej se hetimi i ngjarjes dhe dërgimi i dosjes së saj në gjykatën e Pejës është kryer nga një prokuror vendas, nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Konkretisht, të pandehurit Bedri Krasniqi, Dervish Idrizaj, Hamdi Krasniqi, Ahmet Neziraj, Himë Krasniqi, Selman Gashi dhe Ilmi Lufaj janë dënuar përkatësisht me nga: 17, 13, 12, 15, 10, 10 dhe 10 vjet burgim, plus me gjoba që variojnë nga 150 mijë në 200 mijë euro.
Katër nga të akuzuarit, Bedri, Hamdi dhe Himë Krasniqi, plus Dervish Idrizaj, janë dënuar edhe për armëmbajtje pa leje.
Top Channel