Banka Botërore ka aprovuar një fond prej 23 milionë eurosh për Kosovën, në formë granti, që sipas saj do të shërbejë për të nxitur punësimin e qëndrueshëm në shtetin e ri të Ballkanit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë institucioni i rëndësishëm bankar përmes një komunikate për shtyp, në të cilën thuhet se ndihma është akorduar pasi Kosova i ka kryer reformat e kërkuara.

“Fondi do të vihet në dispozicion të Kosovës pasi qeveria e këtij vendi ka zbatuar reformat politike, të fokusuara në përmirësimin e transparencës, menaxhimin buxhetor dhe fiskal, si dhe në punësimin e qëndrueshëm”, nënvizohet në komunikatë.

Gjithashtu, thuhet në dokumentin zyrtar, ndihma në fjalë synon të përmirësojë klimën e biznesit, me qëllim thithjen e investimeve të huaja e vendase, si dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e qeverisë.

“Gjithashtu, ky operacion synon fuqizimin e institucioneve të tregut të punës, për të ofruar shërbime sa më të përshtatshme për personat e papunë, si dhe për rritjen e cilësisë së institucioneve arsimore”, thuhet më tej në komunikatë.

Ndihma e Bankës Botërore vjen pas kredisë prej 106 milionë eurosh që Fondi Monetar Ndërkombëtar miratoi muajin e kaluar për Kosovën, me qëllim lehtësimin e presioneve fiskale të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA