Misioni i OSBE-së në Prishtinë ka rikonfirmuar të enjten angazhimin e tij për lehtësimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe që do të mbahen edhe në Kosovë.
Shefi i këtij misioni, Wener Almhofer ka deklaruar se, në rast se do të mbahen edhe zgjedhjet lokale, atëherë OSBE do të tërhiqet.
Sipas raportimeve të “RTK”, në Kosovë ka mbërritur sot materiali votues për 110 mijë serbë me të drejtë vote që do të mund të votojnë në 28 qendra me 90 vendvotime.
Ndërkohë, komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews ka deklaruar se misioni i drejtuar prej tij do të jetë neutral ndaj zgjedhjeve serbe.
Drews ka thënë se KFOR-i as do t’i pengojë e as do t’i lehtësojë zgjedhjet, por do të kujdeset vetëm për garantimin e një ambjenti të qetë e të sigurtë.
Gjenerali ka saktësuar se në ditët e ardhshme përgjegjës për sigurinë do të jenë agjentët e Policisë së Kosovës, ndërsa KFOR-i do të jetë në gatishmëri për t’u vendosur aty ku do të jetë e nevojshme.
“KFOR-i do të veprojë me dy parime. Parimi i parë është se, as nuk do të jetë mbështetës i zgjedhjeve e as nuk do të jetë pengues i tyre. Ne do të jemi neutralë në aspektin e zgjedhjeve”, ka thënë Drews.
“Ndërsa përsa i përket parimit të dytë, ne do të jemi në gjendje gatishmërie dhe do të përqendrohemi që të mbajmë një situatë të qetë dhe të sigurt, pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës kanoset rreziku”, ka shtuar ai.
Top Channel