Xhudo, Kelmendi siguron pikët, enigmë përfaqësimi

03/05/2012 16:50

Federata Botërore e Xhudos publikoi renditjen e sportistëve më të mirë në këtë sport, ku bie në sy emri i xhudistes pejane, Majlinda Kelmendi, e renditur e pesta me 820 pikë.

Ky numër pikësh i jep të drejtën e pjesëmarrjes direkte në lojërat olimpike Londër2012 sportistes kosovare. Por për momentin, ajo që mbetet ende e paqartë është se nën cilin flamur do të garojë 21-vjecarja Kelmendi.

Federata Botërore e Xhudos është ndër të paktat organizma sportive botërore që ka pranuar në gjirin e saj me të drejta të plota Federatën Kosovare të Xhudos. Megjithatë, kjo nuk përbën garanci për sportisten pejane, pasi gjithcka do të vendoset pas 23 majit, nëse Majlinda Kelmendi do të marrë pjesë në Londër2012 si sportiste e Kosovës, apo jo.

Në rast të mosrealizimit të këtij skenari, dy janë opsionet e mundshme; e para është që Kelmendi të garojë nën flamurin e lojërave olimpike si sportiste e pavarur nga Kosova dhe e dyta nën flamurin e Shqipërisë.

E gjithë kjo pritet të zbardhet pas 23 majit, kur mblidhet Bordi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Lojërat olimpike Londër 2012, nisin më 27 korrik.

Top Channel