Olimpiada e nacionalizmit provincial, fushata parazgjedhore në Serbi ka sjellë ndryshime në garën elektorale.
Ka pasur akuza personale, ide ekonomike për të dalë nga kriza, janë përfshirë në fushatë edhe FIAT-I që ka ndërtuar një fabrikë në Serbi, së bashku me kompani të tjera që mund investojnë.
Kosova është përmendur sipas nevojës dhe për të konfirmuar se nuk ka ndodhur asnjë tradhti. Fushata kryesisht është zhvilluar në mes të Partisë Demokratike të Boris Tadiç dhe Partisë Progresiste të Tomislav Nikoliç.
Tadiç, për të treguar se është njeriu i parë i Serbisë ka mbledhur rreth vetës njerëz si presidenti i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik dhe i ka dhënë hapësirë politikanëve të bërtasin në foltore.
Ndërsa është mbështetur edhe nga Shqipëria. Bledar Bashanoviç, i komisionit për pakica ka marrë pjesë në mitingun e tij. Tadiç, ndërkaq ka folur në mënyrë mjaft të acaruar që tregon se ekziston një frikë për rezultatin e zgjedhjeve.
“Lufta është mënyra se si ne mendojmë. Është vlera jonë, optimizmi është vlera jonë themelore, mençuria, e ardhmja. Përkushtimi ndaj fëmijëve, të rinjve, e ardhmja e Serbisë dhe popullit tonë ku do që ai jeton. Kemi treguar se mund të kujdesemi për popullin tonë jo vetëm në Serbi, por edhe në Bosnje, në Slloveni, Kroaci, në Shqipëri, Rumani, Hungari”, deklaroi Tadiç.
Progresistët kanë akuzuar qeverinë për korrupsion, tradhti dhe janë munduar të dëshmojnë se Serbia është një gjendje kapitullimi. Në këto zgjedhje të trefishta janë 12 kandidatë për president, ndërsa për Kuvend janë 18 subjekte politike që kanë propozuar mbi tre mijë kandidatë për 250 vende.
Ndonëse favorit shihet ende ish-presidenti Tadiç, që i dha rëndësi me dorëheqjen e tij këtyre zgjedhjeve, ende mund të ndodhin befasi. Por, ka pak të reja dhe shumë fytyra të vjetra në këto zgjedhje.
Top Channel