Marrëdhënia prindër-fëmijë ishte në fokus të emisionit ‘Pasdite në Top Channel’. Fëmijët e vegjël janë të bukur, të lezetshëm e të falin dashuri, por janë edhe të lodhshëm.
Jo më kot është edhe shprehja se “duhet një qytet që të rrisësh një fëmijë”. Tre nëna treguan “aventurat” e tyre dhe peripecitë gjatë rritjes së të vegjëlve.
Valdete Kaloshi, mamaja e Erës 2 vjeç e gjysmë, tregon stresin e saj kur vjen momenti për të ushqyer vogëlushen: “Mundohem ta ushqej me të gjitha format e mundshme e përsëri të mbetet pa ushqyer. Mundohem t’ia jap ushqimin në formën e lojës.”
Psikologia Stela Dhima shpjegoi se kjo është mënyra më e mirë për të ushqyer fëmijët dhe jo me anë të frikës dhe trembjes.
Ermira Milori, mamaja e Albionit, 5 vjeç e gjysmë dhe Leticias 2 vjeç, tregon se problemi i saj është televizori: “Djali kalon shumë kohë duke parë “Bang-Bang” dhe “Cufo TV” duke lënë pas dore detyrat. Shikon shumë televizor sepse nuk ka hapësira ku të luajë jashtë dhe e tërheqin më shumë filmat vizatimorë.”
Psikologia jep këtë zgjidhje: “Në fillim fëmija duhet të bëjë detyrat e më pas është i lirë të shikojë televizor me një orar të limituar.”
Më tej, Stela Dhima shton: “Komunikimi është baza e gjithçkaje. Duhet t’i shpjegojmë fëmijëve se çfarë është më e mira për ta dhe pse. Gjithashtu aleanca mes prindërve është e rëndësishme. Kur njëri i bërtet, tjetri nuk duhet ta marrë me të mirë të voglin. Prindërit duhet të jenë në një mendje edhe kur nuk janë, të sillen njësoj ndaj fëmijës.”
Top Channel