Delio Rossi, tre muaj skualifikim

03/05/2012 15:25

Trajneri i Fiorentinës Delio Rossi është pezulluar tre muaj nga aktivitetet sportive për dhunën fizike që ushtroi ndaj lojtarit të tij të martën gjatë ndeshjes ndaj Novarës. Gjykatësi Sportiv, Gianpaolo Tosel përdori imazhet televizive për të marrë këtë vendim.

Tekniku italian gjithashtu është shkarkuar nga drejtuesit e klubit vjollcë pasi goditi me grusht serbin Adem Ljajic kur ky i fundit shprehu hapur pakënaqësinë e tij për zëvendësimin.

Rossi zëvendësoi Ljajic kur Fiorentina po humbte 0-2 ndaj Novarës, ekip që ka rënë tashmë në Serinë B. Kur po afrohej në stol futbollisti duartrokiti me ironi teknikun dhe nisi një debat i ashpër ku nuk munguan fyerjet. Në këtë moment Delio Rossi iu afrua dhe e goditi me grusht sulmuesin e ri.

Ishin rezervat ata që ndërhynë për të ndaluar degjenerimin e mëtejshëm të konfliktit.

Fiorentina ka kaluar një sezon të vështirë dhe ndodhet në pjesën e poshtme të tabelës së renditjes së Serisë A. Klubi i Firences aktualisht renditet në vend të 16 me 42 pikë.

Top Channel