Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk dihet se kur do të rifillojnë. Apo më saktë, nuk dihet nëse do të rifillojnë. Kështu ka lënë të kuptohet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e Qeverisë, gjatë kohës kur në rend të ditës ishte paraparë të “shqyrtohej propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Grupin për Bisedime Teknike” që drejtohet nga zëvëndëskryeministrja Edita Tahiri.
Këtë pikë e ka hequr nga rendi i ditës vetë Kryeministri, dhe nuk dihet se kur do të shqyrtohet.
“Kjo pikë shtyhet sepse aktualisht nuk ka bisedime. Nëse do të ketë i ndajmë nëse nuk do të ketë nuk do t’i ndajmë”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.
Në anën tjetër, kryeministri ka shprehur edhe një herë mbështetjen për OSBE-në që të lehtësojë mbajtjen votimin për serbët në Kosovë që kanë nënshtetësi edhe të Serbisë.
Duke folur për këtë çështje, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, ka thënë para gazetarëve se nuk janë të bindur që Serbia do ta respektojë marrëveshjen, ndërsa besojnë në organizimin që e bënë OSBE-ja.
Kuçi e dha këtë përgjigje kur u pyet nëse kanë garanci që ditën e zgjedhjeve nuk do të shpërndahen fletëvotime ku do të mund të votohet për kryetar të komunave të Kosovës.
“Mbi të gjitha nuk ka simbolika, nuk ka shenja, nuk ka organizimi që identifikohen me shtetin e Serbisë. OSBE e ka marr të drejtën dhe përgjegjësinë. Ne besojmë në organizimin që e bënë OSBE-ja, por nuk jemi të bindur që Serbia do të respektoj, nuk është hera e parë që i thyen këto marrëveshje, por kësaj radhe garanci është BE-ja, SHBA-ja dhe OSBE-ja”, tha Hajredin Kuçi, Zëvëndës/Kryeministër i Kosovës.
Sipas Kuçit, OSBE-ja do të bëjë organizimin teknik, dhe do ta zëvëndësoj rolin që mund ta bëjë një ambasadë në një vend tjetër dhe se për këtë ka një plan të detajuar.
Top Channel