Qeveria e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës së Qarkut për shpalljen të pafajshëm të ish-ushtarëve të UÇK-së në rastin “Kleçka” ku i akuzuar ishte edhe Fatmir Limaj, dikur pjesë e këtij kabineti.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë me këtë rast se gjithmonë i është dhënë mbështetje drejtësisë sepse është besuar plotësisht në pafajësinë e komandatëve dhe të luftëtarëve të lirisë. Madje, kryeministri ka thënë se mirëpret Limajn dhe të tjerët që t’i rikthehen angazhimeve shtetërore dhe familjare.

“Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, qytetarët e Kosovës, mirëpresin ngadhënjimin e drejtësisë mbi paragjykimet e pajustifikueshme. Dëshiroj që t’i uroj rikthimin në angazhimet e tyre shtetërore dhe familjare”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Përveç kësaj, kreu i ekzekutivit ka uruar, siç ka thënë ai, “me besim të plotë në lirimin e shpejtë të Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”, ndaj të cilëve po zhvillohet një proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës.

Po ashtu, lirimi i Limajt dhe të tjerëve të ‘rastit Kleçka’ është përshëndetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, nënkryetar i së cilës është deputeti Limaj.

“Kleçka”, Limaj shpallet i pafajshëm

Shpallet i pafajshëm dhe lirohet nga akuzat Fatmir Limaj. Ashtu si dhe pritej Gjykata e Qarkut në Prishtinës ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit e rastit “Kleçka”, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajn dhe tre bashkëluftëtarët e tij, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala dhe Naser Krasniqi.

Mbi nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, një nga ish-komandantët më të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën e luftës “Çeliku”, akuzohej se kishte urdhëruar dhe kishte marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë të paraburgosur në një kamp në fshatin Kleçkë në Komunën e Lipjanit, në vitin 1999. Ndaj tij, rëndonin pesë pika të aktakuzës, dy për krime lufte kundër popullatës civile dhe tri pika për krime lufte kundër të burgosurve të luftës që përfshin edhe vrasjen. Prokurori italian, Maorizio Salustro ka deklaruar se do të apelojë vendimin.

Në fillim të procesit, gjykata përjashtoi nga lista e dëshmive të vlefshme atë të Agim Zogajt, i njohur ndryshe si dëshmitari “X”, mbi të cilin ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë. Kjo është hera e dytë që Limaj shpallet i pafajshëm për akuzën e krimeve të luftës. Ai u gjykua dhe u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës,për akuzën e kryerjes së krimeve të luftës në Llapushnik.

“Luftën e UÇK-së, PDK gjithmonë e ka konsideruar si luftë të drejtë dhe çlirimtare, që me rreptësi ka zbatuar të gjitha konventat ndërkombëtare, rregullat e luftës dhe vlerat humanitare”, thuhet në reagimin e PDK-së, duke shtuar se “ky është një lajm shumë i mirë për PDK-në dhe gjithë qytetarët e Kosovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA