Personat e arrestuar një ditë më parë nga policia lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve në periferi të Shkupit, të mërkurën janë nxjerrë para gjykatësit hetues.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë informuar se janë ngritur padi penale për veprën terrorizëm ndaj 5 personave, dy prej të cilëve ndodhen në arrati. Sipas policisë, tre persona, njëri 27 vjec dhe dy vëllezër të moshës 32 dhe 33-vjecare dyshohet se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë, ndërsa dy persona tjerë kanë ndihmuar.

“Sipas njohurive që kemi deri tani, tre të arrestuarit, në ditën e krimit rreth orës 20:00, në afërsi të ‘Liqenit të Hekuranës’, me marrëveshje paraprake, me përdorimin e armëve të zjarrit, 2 pushkë automatike dhe një pistoletë, kanë vrarë pesë djemtë, pas kësaj janë larguar nga vendi i ngjarjes me veturë të tipit ‘Opel Omega`. Pas kryerjes së aktit dy persona kanë arritur të kalojnë kufirin me Kosovën dhe janë arratisur”, deklaroi Sinkron; Gordana Jankullovska, Ministre e Punëve të Brendshme në Maqedoni.

Shumica prej të arrestuarve janë shtetas të Maqedonisë. Edhe pse kryeshefja e policisë nuk deshi të tregojë përkatësinë e tyre etnike, mediat në Shkup njoftojnë se shumica prej të arrestuarve janë shqiptarë. Familjarët e tubuar para gjykatës themelore në Shkup, ku po merreshin në pytje të arrestuarit, thanë se të afërmit e tyre nuk kanë lidhje me veprat për të cilat ngarkohen. Në mesin e të arrestuarve janë edhe tre gra, njëra prej të cilave e moshës 60-vjecare.

“Motra ime ende është brenda në gjykatë, se për cfarë nuk e di. Motra ime është 19 vjec dhe është e mbuluar. E kanë pyetur pse është e mbuluar me ferexhe, kush e ka mbuluar? Më tepër s’di. E kam dhe avokatin, por nuk e kanë lënë të komunikojë me motrën time”, thotë Fuat Hasipi, vëllai i njërës nga femrat e arrestuara. 

Aksioni policor i ndërmarrë një ditë më parë nga policia maqedonase po ndiqet me vëmendje edhe nga ambasada e SHBA-së dhe ajo e BE-së në Shkup. Lidhur me aksionin është prononcuar edhe prokurori i përgjithshëm, Lupço Shvrgovski i cili ka thënë se Prokuroria do të kërkojë dënime maksimale për kryerësit e vrasjes së pesëfishtë.

Ndërkohë, nga partitë shqiptare ka reaguar Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila dyshon se drejtuesit e vendit po tentojnë të shfrytëzojnë këtë aksion si një alibi para Samitit të NATO-s në Çikago, për të treguar se Maqedonia është shtet i cili lufton terrorizim islamik.

Ndërkohë, jashtë selisë së gjykatës, familjarë dhe të afërm të të pandehurve kanë protestuar për arrestimin e tyre, duke pretenduar për padrejtësi dhe pafajësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA